Pushohen 600 punonjës të administratës, Rama: Nuk ishin të denjë në shërbim

24 Prill 2019, 14:02

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se janë pushuar nga puna rreth 600 punonjës, pasi nuk kanë ofruar shërbim e duhur tek qytetarët.

Në takimin e përjavshëm me qytetarët që kanë gjetur zgjidhje më anë të portalit "Shqipëria që duam.al", Rama tha janë raportuar shumë raste nga qytetarët, të cilët nuk kanë marrë zgjidhje për problemin e tyre, por mbi të gjitha ka pasur edhe një sjellje aspak të hijshme nga ana e punonjësve që janë në vijën e parë të shërbimit.

"Janë 600 individ, nga punonjës deri tek drejtues që janë pushuar nga puna se nuk kanë qenë të denjë në shërbimin e qytetarëve. Edhe nga konstatimet tona në bazë të rezultateve të punës së matshme, nga raportet dhe ankesat, por edhe marrja e perceptimit të qytetarëve, ka një perceptim që ndjehet tek shërbimet publike. Miku i famshëm që ishte ilaç tradicional për problemet në shtet, sot ka jo vetëm pamjen, por edhe trajtën e qeverisë. Qeveria miku më i madh i çdo qytetari", tha Rama. 

Shefi i qeverisë shtoi po ashtu se deri tani janë zgjidhur afro 30 mijë ankesa, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë grabitqarët dhe parazitët, që nuk i shërbejnë shqetësimeve dhe halleve të tyre.