Qeveri teknike çdo 6 muaj para zgjedhjeve? E vërteta e propozimit për Reformën Zgjedhore

26 Tetor 2019, 21:02

Një qeveri teknike "de fakto". Këtë propozim pretendon të vë në jetë mazhoranca, i cili në të vërtetë lidhet me kontrollin nga KQZ të të gjitha aktiviteteve publike të qeverisë, gjashtë muaj përpara zgjedhjeve. Nëse KQZ vëren se aktiviteti mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të aktivitetit.

Procesi për Reformën Zgjedhore është futur në fazën më të rëndësishme, si për faktin se propozime të ndryshme po konkretizohen, e po ashtu edhe mënyrën sesi po ecet nga të dy palët për këtë reformë.

Mazhoranca dhe opozita parlamentare, janë pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore, i cili drejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, ndërsa opozita joparlamentare, ka filluar konsultimet në nivelin tekniko-politikë për të hartuar propozime për këtë reformë.

Deri tani, Komisioni i Reformës Zgjedhore po punon mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, dhe ekspertët e tyre kanë bërë propozimet e para për këtë reformë.

Në një dalje për mediat dy ditë më parë, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri foli për një draft të ekspertëve, që 6 muaj para zgjedhjeve çdo aktivitet i qeverisë, duhet të raportohet pranë KQZ-së 24 orë para se të zhvillohet dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë nëse do të lejohet apo jo të mbahet. Sipas Gjiknurit, nëse ky draft miratohet, do e kthente qeverinë ''në gati një qeveri teknike''.