TIRANË - Me propozim të kryeministrit Edi Rama, Këshilli i Ministrave ka vendosur të pezullojë Arben Malajn nga detyra anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Vendimi është publikuar në fletoren zyrtare këtë të enjte ndërsa do t’i kalohet Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin, pas diskutimeve në komisionet parlamentare.
Arben Malaj, ish-ministër i Financave, është emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në korrik të vitit 2016, dhe që prej asaj kohe ka shërbyer pa ndërprerje.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, eksperti i njohur i ekonomisë Arben Malaj, thotë se tashmë do e ketë më të lehtë që të përballet ligjërisht sipas tij me shpifësit dhe abuzuesit me pushtetin.
"Të dashur miq, sapo më njoftuan se qeveria ka vendosur pezullimin tim si anëtarë i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë. Tani do ta kem më të lehtë të përballem publikisht dhe ligjërisht me shpifsit dhe abuzuesit me pushtetin. Falenderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe inspiruar që vendit tim ta shërbej me dashuri, profesionalizëm dhe imtegritet. Sfidat më të paaftet dhe shpifsit i kam fituar përherë moralisht dhe ligjërisht. Asnjë karrike ministrore apo partiake nuk më ka penguar në angazhimet e mia profesionale, shkencore dhe politike. Ju falenderoj!", shkruan në reagim.
Ndërkohë gjatë këtij viti 28 deputetë të PS-së, kërkuan ta shkarkonin si anëtar bordi për shkelje të etikës me argumentin se Malaj gjatë vitit 2018 deri në korrik 2019 kishte pasur dalje konstante në media duke bërë deklarata politike që nuk i shërbejnë publikut dhe në kundërshtim me kompetencat që ka një anëtarë i Këshillit.
Profesori Arben Malaj u përfshi edhe në një debat publik me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, për një leje ndërtimi për vëllain e tij. Sipas Veliaj deklaratat dhe akuzat e ish ministrit vinin si pasojë e refuzimit të lejes për ndërtimin e një pallati që sipas tij ishte në shkelje të ligjit. Vetë Malaj, pranoi në atë kohë se ka pasur një kërkesë për leje ndërtimi nga vëllai i tij dhe jo për ndërtimin e një pallati por për leje provizore në pronën aktuale të tij.
Në vendim thuhet:
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 47, të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI:
- Z. Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pezullohet nga kjo detyrë.
- Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për shkarkimin e z. Arben Malaj nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.