Qeveria heq taksat për biznesin e vogël, Denaj: I japim frymë, fokusi lufta ndaj informalitetit

23 Tetor 2020, 18:30 | Përditesimi i fundit: 2020-10-23 18:31:59

Në janar të vitit 2021 hyjnë në fuqi nismat e qeverisë për lehtësimin e biznesit të vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë , si dhe rritja e pragut të TVSH-së nga 2 milionë në 10 milionë lekë, por nga ana tjetër Ministria e Financave pret që të ardhurat nga tatim-fitimi të rriten me 3 miliardë lekë, dhe për TVSH me rreth 13 miliardë lekë. Denaj sqaron edhe këto parashikime të qeverisë, ku fokusi do të jetë miradministrimi i të ardhurave dhe goditja e evazionit fiskal.

“Pavarësisht uljeve që i kemi bërë tatim-fitimit për biznesin e vogël dhe rritja e pragut të TVSH-së, ne mendojmë që e gjithë puna që ka nisur për miradministrimin e të ardhurave, do të përmirësojë konsiderueshëm nivelin për të arritur rritjen e synuar dhe për të mos u vënë në rrezik.  Do të fokusojmë vëmendjen tek biznesi i mesëm dhe i madh ku edhe transaksionet në sektor të caktuar mund të sjellin një hapësirë më të madhe në vlerë absolute kur evazioni ndodh. Ndërsa biznesi i vogël është lehtësuar, pasi jo vetëm që është e nevojshme për këtë periudhë që kalon por është biznesi në  numër të konsiderueshëm, por në vëllim monetar është i ulët, por për ata heqja e Tatimit dhe rritja e pragut është një ndihmë e konsiderueshme dhe e bërë kjo në 8 vite sigurisht ka vlerë, ndërsa tek buxheti i shtetit ka ndikim pasi do të fokusohemi tek biznesi i madh. Parashikohet që 1.5% e PBB do të jetë nga miradministrimi fiskal”, shpjegon ministrja.

Është detyrim ligjor ulja e borxhit publik deri në vitin 2023, tha ministrja ndërsa i konsideron të pavend akuzat për rritjen e madhe të borxheve në një situatë të tillë.