Qeveria: Ja gjithë ndryshimet e taksave me paketën fiskale 2020

8 Nëntor 2019, 18:43

Bashkë me Projektligjin për Buxhetin e Shtetit të vitit 2020, sot në Konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka prezantuar sot edhe një numër ndryshimesh që parashikohet të bëhen në legjislacionin e taksave në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Konkretisht, këto ndryshime, që parashikohet t’i kalojnë Kuvendit për diskutim, janë si më poshtë.

Tatimi mbi të ardhurat

        Incentivimin e sektorit të industrisë automotive duke ulur normën e tatim fitimit në 5 %, për personat juridikë që ushtrojnë aktivitet ekonomik në këtë industri

·        Promovimin e sportit, me qëllim rritjen e impaktit pozitiv të tij në shoqëri. Për këtë arsye propozohet incentiva fiskale për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale të shpërblimeve qe u jepen sportistëve, apo ekipeve sportive pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni përkatës. Gjithashtu, për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milion lekë, shumat e sponsorizuara në fushën e sportit, të njohura si shpenzime të zbritshme, për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin, janë të zbritshme sa trefishi i shumës së sponsorizuar

·        Mbartjen e humbjeve për një periudhë 5-vjecare për tatimpaguesit, që investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 miliard lekë

·        Harmonizimin e Ligjit nr 8438 nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar me ligjin e ri “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”

Taksat kombëtare

·        saktësimin e vlerës së mjetit për efekt të kritereve që duhet të përmbushi një automjet për tu konsideruar automjet luksi, duke e amortizuar vlerën e automjetit me 10% me vlerë të mbetur;

·        ndryshime në penalitet me qëllim unifikimin e gjobës për pagesë të vonuar për taksën vjetore të mjeteve të përdorura;

·        rritje të komisionit që përfiton DPSHTRR, prej 5 (pesë) përqind për taksën e regjistrimit fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze”;

·        shtimin e kategorisë së personave me aftësi të kufizuar për tu përjashtuar nga taksa vjetore të mjeteve të përdorura

·        përjashtimin nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura, “Automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi”.

Procedurat Tatimore, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar

Ndryshimet në Ligjet: “Për procedurat tatimore” dhe “Për tatimit mbi vlerën e shtuar” lidhen kryesisht me hartimin dhe miratimin e ligjit “Për fiskalizimin”. Pra jane ndryshime proceduriale të lidhura me të. Njëkohësisht janë rishikuar edhe disa shkelje administrative dhe nivele penalitetesh me qëllim lehtësimin e zbatimit praktik të tyre. 

Ndërkohë, do të hyjë në fuqi një rritje e programuar e akcizës së cigareve,e me një efekt vjetor +750 milionë lekë. Si dhe planifikohet miratimi i një ligji për rivlerësimin e banesave. Efekti i vlerësuar  për vitin 2020  është +4 miliard lekë