Qeveria mbyll lojërat e fatit, Rama: Nga 1 janari asnjë qepen hapur, TV të heqin reklamat brenda 24 orëve

9 Tetor 2018, 17:40

Qeveria vendos të mbyllë të gjithë aktivitetin e lojërave të fatit brenda këtij viti. Kryeministri Rama dha këto detaje në përfundim të mbledhjes së qeverisë. 

Duke nisur nga data 31 dhjetor të këtij viti do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen, apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare.

Edi Rama, kryeministër

Nga 1 janari qeveria nuk do të japë licenca të reja për këto aktivitete. Në territorin e Republikës së Shqipërisë nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues nuk do ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë kilometra katror të Republikës së Shqipërisë.  Po sot, qeveria ka pezulluar veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, i cili deri në 31 dhjetor do të transformohet dhe do të robotizohet përmes teknologjisë digjitale.

Qeveria ka marrë edhe disa vendime për forcimin e rendit dhe sigurisë.

Për të dyshuarit, apo për të dënuarit për përfshirje në krim të organizuar, apo dhe organizata terroriste, të cilët do t’i nënshtrohen një regjimi të ri, shumë të rreptë, izolimi dhe monitorimi, duke iu ndërprerë çdo lloj komunikimi të brendshëm dhe të jashtëm për të gjithë kohën e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit.

Edi Rama, kryeministër

Kryeministri Edi Rama, ka paralajmëruar mediet, radiot dhe televizionet që brenda 24 orësh të heqin të gjitha reklamat e pikave të basteve në ekrane dhe faqe interneti.

Në zbatim të ligjit ekzistues, që ndalon reklamimin e kompanive të basteve dhe që është shkelur nga të gjitha mediat pa përjashtim, unë i paralajmëroj të gjithë: Brenda 24 orësh të heqin të gjitha reklamat nga ekranet, nga radiot, nga gazetat, apo nga portalet. AMA duhet të garantojë zbatimin e ligjit përsa i përket ekraneve dhe radiove, ndërsa ne do të mbyllim me forcë çdo faqe online, që pas 24 orësh do të ketë akoma reklama bastesh në shkelje të ligjit ekzistues të Republikës së Shqipërisë.

Edi Rama, kryeministër

 

Për të parandaluar vijimin e aktivitetit kriminal të të burgosurve nga qelitë e tyre përmes telefonit, Rama tha se në kohë reale të gjitha kamerat e burgjeve do të transmetohen në dy salla qendrore: një tek operacioni “Forca e Ligjit” e një tjetër tek salla e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

    No videos found.