Qeveria merr vendimin, aeroporti i Kukësit jepet me koncesion, drejt vënies në funksion

11 Korrik 2018, 19:59

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për dhënien me koncesion të rehabilitimit dhe operimit të aeroportit të Kukësit. Qeveria ka miratuar edhe bonusin 8% në procedurën e përzgjedhjes për konsorciumin e krijuar nga shoqëritë “Kastrati sh.a” dhe “T.M.D Systems LTD” për dhënien me koncesion/PPP të aeroportit të Kukësit.

Referuar vendimit, në këtë rast kemi të bëjmë me një propozim të pakërkuar. Aeroporti i Kukësit nuk shfrytëzohet që prej ndërtimit të tij me financim arab vite më parë. Bonusi prej 8% krijon mundësinë që konsorciumi të fitojë garën për shfrytëzimin e aeroportit, ndërsa për vënien e tij në dispozicion të fluturimeve, duhet më parë të hiqet ekskluziviteti i koncesionarit të aeroportit të Rinasit.  

Ministria e Infrastrukturës: Negociata me koncesionarin e Rinasit për heqjen e ekskluzivitetit
Ministria e Infrastrukturës sqaron se për shfrytëzimin e aeroportit të Kukësit, është hapur rruga pas marrëveshjes së qeverisë me koncesionarin e aeroportit të Rinasit, i cili pranoi të hiqte dorë gradualisht nga ekskluziviteti, që kishte fituar me kontratën e vitit 2005.

Pas kësaj, u njoftua edhe projekti për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, si dhe vënia në shfrytëzim e aeroportit të Kukësit. Kushti i vetëm që kërkuan koncesionarët e Rinasit ishte që aeroportet duhej të ishin më larg se 100 km në vijë ajrore nga Rinasi, çka Vlora dhe Kukësi e plotësojnë.