Qeveria miraton kontratën e koncesionit për Aeroportin e Kukësit

20 Mars 2019, 14:55 | Përditesimi i fundit: 2019-03-20 15:02:27

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha sot në një deklaratë për mediat se qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme kontratën e koncesionit për ndërtimin e aeroportit të Kukësit.

Balluku deklaroi se kontrata koncesionare eshte 35 vite, kurse ndërtimi i aeroportit do të përfundojë brenda 24 muajve. Ai do të punësojë fillimisht 250 persona dhe në fazën finale numri i tyre do të shkojë në 12 mijë.

“Sot është miratuar nga qeveria kontrata e koncesionit për aeroportin e Kukësit. Koncesioni i tenderimit u krye në dhjetor 2018. Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit është 35 vite dhe kontrata për ndërtimin është 24 muaj. Për ndërtimin e aeroportit do të punësohen fillimisht 250 persona dhe në fazën finale do të shkojë në 12 mijë të punësuar. Aeroporti pritet të ketë 300 mijë pasagjerë në vit”, deklaroi Balluku.

Deklarata e plote e ministres

Sot në mbledhjen e qeverisë,Këshilli i Ministrave ka miratuar nënshkrimin e Kontratës së Koncesionit për “Rehabilitimin, operimin, transferimin e Aeroportit të Kukësit”.

Procedura e ndjekur për realizimin e kësaj kontrate është mbështetur në Ligjin 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar me VKM 575, datë 10.7.2013 "Për miratimin e rregullave për identifikimin, vlerësimin dhe dhënien e koncesioneve/PPP”, i ndryshuar.

Procesi i tenderimit u krye në dhjetor 2018 dhe fitues doli Bashkimi i Përkohshëm i Operatorëve “Global TechnicalMechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k.. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zhvilluar një proces negocimi intensiv me fituesin e tenderit.

Kontrata u negociua dhe u dërgua për mendim në institucionet respektive, mendime këto të dakordësuara dhe të reflektuara në kontratën përfundimtare të nënshkruar, e cila sot u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave. Hyrja e saj në fuqi i hap rrugë ndërtimit të aeroportit të Kukësit.

Kohëzgjatja e Kontratës se koncesionit është 35 vite.