Partia Demokratike ka hedhur sulme ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama për sa i përket paketës‘Anti-KÇK’. Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu deklaroi se Rama emëroi në një detyrë shtetërore gruan e nënkryetarit të KQZ-së Denar Biba, Elona Kana, e cila u tërhoq nga sistemi i drejtësisë pak para vettingut. Në emër të PD-së, Balliu tha se Kana u tërhoq nga detyra e këshilltares së Gjykatës së Lartë pasi nuk justifikonte dot pasurinë dhe u emërua në Entin Rregullator të Ujit.
Kujtojmë se 10 ditë pasi Elona Kana ndërpreu me dorëheqje procesin e vetingut, qeveria në mbledhjen e dy ditëve më parë vendosi që ta emëronte në detyrën e anëtares së Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, për periudhën e mbetur të mandatit. Elona Kana është gruaja e n/kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e socialistëve, Denar Biba.Elona Kana u përball fillimisht me vetingun në tetor të vitit të kaluar si këshilltare në Gjykatën e Lartë. Në seancën e parë ajo kërkoi dorëheqjen e relatores Xhensila Pine, por më pas Kana paraqiti dorëheqjen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Shkollën e Magjistraturës.