Qeveria teknike? Basha: S'është platformë eksituese, por esenciale për zgjedhjet

2 Maj 2019, 13:16 | Përditesimi i fundit: 2019-05-02 16:10:23

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike ka paraqitur 10 detyrat e qeverisë tranzitore, në një mbledhje ku të krah tij ishin edhe krerët e partive aleate. Në fjalën e tij, kryedemokrati theksoi se për të shkuar drejt qeverisë tranzitore, nuk është e nevojshme ndryshimi në ligj, por mjafton vullneti i partive politike. Ndonëse ka specifikuar 10 pikat, në një prezantim prej më shumë se 1 orë e 30 minuta, Basha nuk ka thënë asnjë fjalë se si do të zgjidhen ministrat që do të kryejnë këto detyra, nëse do të jenë emra politik apo teknik, po as kohëzgjatjen e saj. Interesit të gazetarëve, për të mësuar emra konkrete, Basha u mjaftua me një përgjigje përgjithësuese, duke thënë se këta persona nuk duhet të jenë në konflikt interesi, për të devijuar dhe shkelur kushtetutën dhe ligjin në përfitim të partive politike.

Ndërkohë, lideri demokrat theksoi se nuk do të ketë një koalicion të madh mes opozitës dhe PS, edhe pse nuk e specifikoi nëse do të marrë 6 apo më shumë poste teknike, siç ndodhi me marrëveshjen e 2017.

"Persona të mos jenë në konflikt interesi, për të devijuar dhe shkelur kushtetutën dhe ligjin në përfitim të partive politike. "Nuk do të jetë një koalicion i madh mes opozitës dhe PS. Qeveri tranzitore, provizore, me persona jashtë konfliktit të interesit", u shpreh Basha. 

Platforma është e ndarë në 10 pika kryesore, në të cilën përfshihet roli i policisë në zgjedhje, ngritja e një strukture të posaçme që do të ndjekë e rastet e presionit mbi zgjedhësit, sidomos atyre në administratë, votimi fiktiv i administratës etj. Në këtë takim janë krerët e partive aleate të PD. Në sy bie mungesa e Vangjel Dules, e ndërsa ndryshe nga takimet e tjera, i pranishëm është edhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi.