Qindra të rinj festojnë çmimin për Tiranën/ Veliaj: Macron bëri thirrje që projekti i të rinjve të mos ngelet i burokratëve!

22 Nëntor 2019, 20:08

TIRANE- Qindra të rinj festuan sot në Parkun Europa shpalljen e Tiranës si “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022. Nën ritmet e muzikës, të rinj dhe të reja të kryeqytetit i janë gëzuar këtij lajmi fantastik për Tiranën, që e rreshton atë në një ndër qytetet më rinore në Europë.  Duke iu referuar fjalës që mbajti presidenti Emmanuel Macron në ceremoni, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj theksoi se Tirana në vitin 2022 do të tregojë se është një vend evropian, njësoj si dhe shumë qytete të tjera në Bashkimin Europian.

“Presidenti Macron i bëri thirrje të gjithë të rinjve, që projekti i Europës të mos ngelet projekti i burokratëve, projekti i Europës, të mos ngelet projekti i apartçinjve, projekti i Europës të mos jetë projekti i atyre që vetëm plotësojnë letra që s’kanë asnjë rendiment. Ai bëri thirrje që projekti i Europës të jetë projekti i rinisë dhe ne nga Tirana japim një përgjigje: Po, projekti i Europës është projekti i rinisë shqiptare! Dhe po, ne do ta përdorim vitin 2022 si një mundësi të shkëlqyer për të treguar se jemi europianë, mendojmë si europianë, punojmë si europianë dhe herët ose vonë e kemi vendin në BE”, tha Veliaj. 

Veliaj përcolli emocionet e ceremonisë në Amiens të Francës, ku juria prestigjioze ndërkombëtare e shpalli unanimisht Tiranën si kryeqytetin rinor evropian për vitin 2022. Ai falenderoi në mënyrë të veçantë të rinjtë e Tiranës dhe të gjitha organizatat që mbështetën aplikimin e Tiranës për të qenë kryeqendra e rinisë evropiane pas dy vitesh.

“E pabesueshme! Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022. Nga nata e mbrëmshme në Francë me presidentin Macron, me gjithë kandidatët në finale, deri sot në mëngjes kemi qenë pa gjumë, por donim patjetër që të ishim në Tiranë dhe ta ndanim këtë gëzim me të gjithë çunat dhe gocat e Tiranës. E kam zemrën plot me mirënjohje, me gëzim, me falenderim për të gjithë çunat dhe gocat, nga ata në gjimnaz, tek ata në Universitet, tek ata që advokojnë për të drejtat e fëmijëve, për ata që punojnë pafund. Në gjithë këtë përpjekje, në gjithë këtë angazhim të jashtëzakonshëm, kishte vetëm pasion, energji pozitive, vetëm çuna dhe goca të mirë shqiptarë, që bashkëpunojnë, që i thonë njëri-tjetrit: Bravo të qoftë!, që kuptojnë se duke punuar bashkë mund të shkojmë shumë përpara”, tha Veliaj.