Qytetarët harrojnë virusin, shfaqen pushuesit e parë në plazhet e Golemit dhe të Vlorës

13 Maj 2020, 13:46 | Përditesimi i fundit: 2020-05-13 13:47:49

Sezoni turistik nuk ka nisur zyrtarisht por Golemi po mirëpret pushuesit e parë, ndërsa në Vlorë  qytetarët vijojnë plazhin. Banorë të zonës kanë nisur të shijojnë rrezet e diellit dhe ujin e ngrohtë të detit edhe pse kjo është e ndaluar për shkak të pandemisë.

Çadrat janë vendosur vitin e kaluar, por pronarët i kanë lënë aty edhe gjatë dimrit. Duket qartë se protokolli i sigurisë për distancë 3.5 metra mes çadrave nuk ka hyrë ende në zbatim.  Por turizmi i mirëfilltë duket ende larg në Bashkinë e Kavajës, ku bën pjesë edhe Golemi. Strukturat hoteliere dhe restorantet po kryejnë punime. Ato nuk janë ende gati për të pritur turistët.

E njëjta pamje shfaqet edhe në Vlorë, ku temperaturat e larta kanë bërë që dhe vlonjatët t'i drejtohen plazhit. Kamera e Report tv filmoi disa qytetarë që po marrin rreze pranë Lungomares.

Buzë detit ka edhe fëmijë entuziastë që janë larë për herë të parë për këtë vit.

Edhe pse zona është zonë e gjelber dhe simblokisht e ka hapur sezonin, sërish shfaqen uniformat blu që i detyrojnë pushuesit të largohen, pasi hyrja në det është ende e ndaluar.