Qytetarët ngjitur te tregu në Institut! Maska e doreza? 'S'kemi frikë, faleminderit, s'kemi nevojë'

28 Prill 2020, 13:21 | Përditesimi i fundit: 2020-04-28 16:26:52

REPORT TV bëri sot një vëzhgim në Institut ku evidentoi se masat nuk respektohen nga qytetarët. Në tregun e fruta perimeve, tregtarët kanë maska dhe doreza, por qytetarët nuk i zbatojnë masat duke qëndruar ngjitur me njëri tjetrin pa distancim dhe pa asnjë masë mbrojtëse. Në këtë treg nuk ka tunel dezinfektimi. Gjithashtu, problem kryesor është higjiena, pasi shumë produkte shiten në trotuar. Sa i përket industrialit, tregtarët masat i kanë marrë me tabelat njoftuese dhe dezinfektantët, por shprehen për Report Tv se problemi qëndron se nuk ka blerje dhe malli i dimrit u ka mbetur stok. Njëri prej tyre tha se stoku i ka arritur deri në 12 mln lekë të vjetra. "Qytetarët vijnë, por nuk kanë të ardhura për të blerë, pasi produktet nuk janë të sezonit, por të mbetura stok" tha një tregtar.Por as qytetarët nuk janë të gjithë të ndërgjegjësuar mbi rrezikun e COVID-it, teksa disa prej tyre nuk mbajnë as maska dhe as doreza. Njëri prej tyre i pyetur nga Report Tv, tha se "Nuk ndiqem i rrezikuar, as frikë nuk kam. Nuk është përhap shumë në vendin tonë, sot 14 raste kishte". Ndërsa një tjetër i pyetur për maskën dhe dorezat u shpreh se "Nuk kemi nevojë faleminderit".