Qyteti nëntokësor në Kukës do të bëhet muze

24 Tetor 2019, 18:52

KUKËS- Qytetin e nëndheshëm apo vendstrehimin e ndërtuar dekada më parë nga regjimi monist, për të strehuar aty më shumë se 10 mijë banorë në rast të një sulmi, pritet që të kthehet në muze.

Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, i cili tha se është një shoqatë italiane e cila ka shfaqur interes për të investuar për qytetin e nëndheshëm të Kukësit dhe kthimin e tij në muze. Sipas Gjicit, një gjë e tillë do të shërbente jo vetëm një atraksion turistik për Kukësin, por edhe një burim i madh të ardhurash.

Ne kemi fituar një projekt nga një shoqatë Italiane afër 2.7 milion euro. Në fazën e parë jemi shpallur fitues. Presim të nënshkruajmë kontratën për vazhdimin e projektit. Pa dyshim që do të vijnë italianët këtu, por do të shkojmë edhe ne në Itali për të biseduar për projektin. Do të punohet nëntokë për ta kthyer këtë qytet që është i rrallë për Shqipërinë për ta kthyer në një qytet muzeal për vizitorë jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj. Besoj se do të jetë diçka e mirë për të ardhurat e bashkisë", u shpreh Gjici.

Në lidhje me këtë bashkia e Kukësit, i ka dërguar një informacion të detajuar edhe qeverisë, ku ka kërkuar shfrytëzimin e këtij vendstrehimi për turizëm historik. Ky vendstrehim është 30 metra nën tokë dhe përbëhet nga shkallët në formë rrethore, kryqëzime e tunele si një labirint. Për ndërtimin e tij është punuar gati 20 vite, ndërsa janë shpenzuar miliarda lekë. Ky qytet i nëndheshëm lidhet me disa lagje.