Fundjava sjell fluks në Morinë, pushuesit kosovarë dynden drejt bregdetit shqiptar

15 Gusht 2020, 13:27 | Përditesimi i fundit: 2020-08-15 14:38:22

Qytetarët nga Kosova nuk ia kanë bërë dysh as këtë fundjavë pasi në masë të madhe kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për të qëndruar afër bregdetit. Raportohet se në orët e para të mëngjesit së ditës së sotme, në pikën e kalimit kufitar në Morinë, kolona a makinave në radhë ishte e gjatë 150 metra.

Çdo makine për të kaluar në Shqipëri i duhej të priste nga 20-25 metra, thonë të dhënat zyrtare nga ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës. Referuar po këtyre burimeve në pikën kufitare në Vërmicë, nga territori i Kosovës  për pushime në Shqipëri, vetëm në tre orët e para të mëngjesit kanë dalë mbi 15 mijë persona.

Policia Kufitare e Morinës si zakonisht punoi me proçedurë të përshpejtuar dhe me të gjitha kapacitetet e sporteleve për kalimin e shpejtë të automjeteve. Qytetarët nga Kosova duke shfrytëzuar fundjavën dhe dikush pushimet  që ka tani, kanë vendosur që ta vizitojnë bregdetin shqiptar.

Ndërkohë, një shtetas kosovar është arrestuar në pikën e kalimit kufitar në Vermicë, pasi me automjetin e tij nga Shqipëria tentoi të  kontrabandonte pesë shtetas sirian. I dyshuari pas marrjes në pyetje me vendim të prokurorit është dërguar në burg. Kohë me parë 3 shtetas shqiptarë janë ndaluar nga Policia e Kosovës në Vërmicë, kaluan ilegalisht 24 emigrantë sirianë nga Shqipëria drejt Kosovës, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.