Radhët në Kakavijë/ Rama kundër ‘tamponit’ grek, por sqaron: S’ka diskriminim

15 Gusht 2020, 15:47

Kryeminstri Rama u shpreh për herë të parë këtë të shtunë për situatën e krijuar në Kufi me Greqinë. Ai i siguroi qytetarët se po bën të gjitha përpjekjet për të lehtësuar kalimin dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në shtetin fqinj.  Ndonëse e konsideron pa kuptim testin e tamponit të Kakavijë, Rama thotë se rradhët e gjata nuk u krijuan nga diskriminimi, por nga rregullat e reja që po i imponohen botës nga pandemia.

Rama është shprehur kundër tamponimit nga pala greke, pasi sipas tij tamponimi nuk tregon asgjë kur virusin mund ta kesh marrë një ditë më parë dhe në fazën disa ditore të inkubimit ai nuk shfaqet. Kreu i qeverisë thotë se në këtë situatë shteti shqiptar nuk mund të bëjë asgjë, pasi ky është një rregull i përgjithshëm i shtetit grek që prek edhe vetë grekët që kthehen në Greqi.Ai ka shprehur gjithë mbështetjen ndaj qytetarëve shqiptarë që po kalojnë një situatë shumë të vështirë në pikën e kalimit kufitar. Rama shprehet se kanë komunikuar gjatë gjithë kohës me zyrën e kryeministrit Mitzotaqis e me autoritetet e tjera greke. Ai thotë se nuk asnjë lloj diskriminimi ndaj shqiptarëve, por thjesht janë procedurat që duhet të ndiqen si kusht i Greqisë dhe shumë vendeve të tjera. Kryeministri tha se kjo nuk po ndodh vetëm në Kakavijë por edhe në Britani, duke përmendur pikën e kalimit në portin e Doverit, ku 500 mijë britanikë po ktheheshin nga Franca, që t'i shpëtonin rregullit të sapovendosur të karantinës.