Ralf Gjoni: Sigurimsat janë ende gjallë dhe mes nesh në poste të larta

8 Maj 2019, 14:20

Nga foltorja e Kuvendit deputeti Ralf Gjoni që u fut në Kuvend nga listat e LSI-së mbështeti nismën e deputetit demokrat Myslim Murrizi për amendimin e ligjit për ish-sigurimsat e shtetit, që të largohen nga postet e larta drejtuese të shtetit. Gjoni tha se ish-sigurimsat e shtetit vijojnë që të jenë mes nesh, por Autoriteti i Hapjes së Dosjeve nuk e ka tagrin për të kontrolluar të kaluarën e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

"Ish-sigurimast dhe pjesëmarrës në krimet e komunizmit janë ende gjallë dhe mes nesh, në funksione të lartë drejtuese, të shtetit. Ne duhet të kemi një ligj të vecantë për të ndaluar pjesëmarrjen e ish-bashkëpunëtorëve të shtetit në cdo funksion shtetëror. Nuk meriton që të jetë në asnjë dikaster të shtetit. Në dijeninë time Autoriteti i Dosjeve nuk e ka tagrin për të verifikuar figurat tona në parlament, pasi nuk e detyron ligji.

Fajin për këtë e ka qeveria dhe kuvendi, Autoriteti është lënë jetim, i braktisur, nuk ka fonde, ka vetëm 60 veta në organigramë, por vetëm gjysma është plotësuar. Autoriteti është i pa mbështetur nga qeveria, cfarë e ndalon që të japë fondet dhe personelin për të funksionuar? Murrizi ka të drejtë dhe i bashkohem për angazhimin si opozitë. Jam dakord me Murrizin për amendimin e ligjit"
 deklaroi ai.