TIRANË- Me punë apo pa punë mesazhet nuk u kanë munguar shqiptarëve as këtë një maj. Nga Sheleguri Presidenti Ilir Meta shpreh shqetësimin se edhe këtë vit Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e gjen Shqipërinë me nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Europë sipas institucioneve financiare ndërkombëtare. Madje nuk është optimist as për të ardhmen e për këtë kërkon reflektim urgjent dhe masa konkrete.
"Në gjendjen aktuale, të tregojmë vëmendje të veçantë dhe të shtuar që punëtorët në sektorët më të prekur, jo vetëm t’i dëgjojnë, por edhe të përfitojnë realisht nga paketat ekonomike të premtuara. Kërkohet një bashkëpunim më i mirë në këtë situatë për të mbështetur sipërmarrësit dhe biznesin e vogël, nëpërmjet një strategjie konkrete e të prekshme, për rihapjen e ekonomisë në mënyrë të pakthyeshme", shkruan Meta.
Në të njëjtën linjë me kreun e shtetit është edhe kryetari i kuvendit.
"Pandemia të mos godasë miëqënien e punëtorëve. Pandemia të mos dëmtojë “stofën” e shoqërisë", tha ndër të tjera Ruçi.
Ndërsa kryeministri Edi Rama mesazhin e tij ua ka drejtuar të gjithë atyre që për të janë heronj të heshtur. Kreu i qeverisë nëpërmjet një videoje të postuar në rrjetet sociale e ka vlerësuar 1 majin më domethënës të punës së mijëra njerëzve falë të cilëve Shqipëria po lufton.
Për opozitën kjo është dita kur duhet të nisë parada e papunësisë. 61 mijë persona kanë humbur jo vetëm vendin e punës shkruan këshilltari për ekonominë në Partinë Demokratike Dorian Teliti, por edhe shpresën se qeverinë e kanë në krah.
Sa i përket masave, kreu i qeverisë ka bërë më herët se ditur se nuk ka mbyllje të detyrueshme dhe të gjithë ata që duan të punojnë mund të punojnë, me të njëjtat rregulla si të çdo dite të kësaj jave.