Tiranë- Kryeministri i vendit Edi Rama pas mbledhjes së sotme të qeverisë, në një konferencë për shtyp bëri me dije pesë vendime të qeverisë, të cilat pritet t'ju vijnë në mbrojtje qytetarëve, që nga siguria në shkollë, monitorimi më i rreptë në burgje, por edhe deri tek izolimi i atyre që janë dënuar si pjesë e ndonjë organizate kriminale apo terroriste. Rama njoftoi edhe ndryshime në Kodin Penal që të ketë mundësi të jepen dënime ekzemplare për "të fortët" e arrestuar në kuadër të operacionit "Forca e Ligjit".
Vendimi i parë është nisja e zbatimit të projektit që çon në shkolla 150 oficerë sigurie.
Arsyeja e kësaj konference është nevoja për të komunikuar me publikun disa masa që gjykoj se kanë një vlerë të posaçme dhe besoj do të jenë më shumë se të mirëpritura në çdo familje. Sot ne kemi vendosur të nisim zbatimin e programit të ri për oficerët e policisë në shkollat e vendit. Projekti në 150 shkolla, gjimnaze kryesisht, aty do fillojnë punën 150 oficerë sigurie të trajnuar enkas për këtë program. Projekti pilot në dobi të parandalimit të fenomeneve të dhunës apo bulizmit, në funksion të mbrojtës së tyre nga duhani apo moslënies së orëve të mësimit. Ne të gjithë si shoqëri jemi të interesuar dhe sigurohet një hallkë e munguar pasi oficeri i policisë nuk është një polic por një kujdestar, një ndërmjetës mes fëmijëve mësuesve dhe prindërve.
Kryeminstri Edi Rama
Vendimi i dytë i qeverisë kishte të bënte me të dënuarit e përfshirë në krim të organizuar apo organizata terroriste, të cilët tha se do t'i nënshtrohen një monitorimi të rreptë, që shkon deri në izolim.
“Do të ketë ndryshime ligjore për të dyshuarit apo të dënuarit e përfshirë në krim të organizuar apo organizata terroriste. Ata do t’i nënshtrohen një regjimi të ri shumë të rreptë, izolimi apo monitorimi duke iu ndërprerë çdo lloj komunikimi të jashtëm gjatë kohës së dënimit. Modeli i referohet atij që italianët e quajnë quarantuno bis. Këta persona do kenë kontakte shumë të kufizuara me qeniet e tjera njerëzore, do jenë shumë të monitoruar”