Rama: 202 gjyqtarë e prokurorë janë shkarkuar nga vettingu! Do japin llogari para ligjit!

29 Dhjetor 2020, 10:37 | Përditesimi i fundit: 2020-12-29 10:42:37

Kryeministri u shpreh se deri më tani janë larguar 202 gjyqtarë e prokurorë që nuk e kaluan procesin e vettingut dhe se janë konfirmuar 118. Rama shprehet se ata do të japin përgjigje me patjetër përpara drejtësisë.

“Qytetarët kanë një padurim për faktin se ende sot vazhdojnë problemet në sistemin e drejtësisë dhe drejtësia nuk ka arritur deri në atë pikë të reagimit të saj ndaj llumit dhe zullumit që të lehtësojë frymëmarrjen e qytetarëve. Dua të ndaj me të gjithë faktin se procesi i ndërtimit të një drejtësie nuk zhvillohet sa hap e mbyll sytë. Nëse shohim bilancin, mendoj që ka arsye për të qenë vërtetë optimistë për të nesërmen. Reforma në drejtësi ka nisur me pastrimin e zullumit të grumbulluar me dekada në sistemin e drejtësisë. Nëse shohim shifrat e këtij procesi, ajo që thashë konfirmohet. Arsyeja për të qenë optimist për të nesërmen. Deri sot janë rivlerësuar duke kaluar 322 individë nga të cilët më shumë janë shkarkuar dhe larguar nga sistemi se sa janë konfirmuar. Plot 128 individë të shkarkuar drejtëpërdrejtë dhe 74 të tjerë të vetëlarguar nga ky proces me vetëdijen e mundësisë për të kaluar filtrin. Vetëm 118 janë konfirmuar. Kemi 202 individë të larguar dhe 118 të konfirmuar. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër ka të bëjë me atë që pyesin, çfarë ndodh me të larguarit. Ne ndërkohë paralelisht me pastrimin ka vijuar dhe po konsolidohet procesi i ngritjes së sistemit të drejtësisë. Ata që nuk kanë justifikuar pasuritë marramendëse, do të përgjigjen përpara drejtësisë. Përgjigja përpara drejtësisë, do të konfirmohet dhe kthesa historike në sistemin e drejtësisë. Fjala kyç në këtë proces është durim. Bëhet fjalë për të ndërtuar nga themelet njërin prej 3 pushteteve që përcaktojnë dhe 3 shtyllat e sistemit demokratik” – tha Rama.