Rama: 40% rritje pagash për mësuesit e bluzat e bardha në mandatin e tretë, zero për parlamentarët!

15 Mars 2021, 14:11

TIRANË- I bindur se do të fitojnë mandatin e tretë kryeministri Edi Rama, shpalosi premtime konkrete në programin e socialistëve për taksat, pagat, bizneset dhe objektivat tërësore për ekonominë. Teksa e konsideroi “menu dëshirash kap ç’të kapësh” programin e PD-së, kreu i qeverisë njoftoi se do i qëndrojë progresivitetit në paga, por duke ndryshuar fashat. Ndryshe nga tani, ai premtoi se 23% do të tatohen pagat mbi 250 mijë lekë dhe jo më pagat mbi 150 mijë lekë.

Deri në fund të mandatit të tretë paga minimale do të ketë arritur 40 mijë lekë dhe deri në këtë nivel nuk do të paguhet tatim. Ndërsa aktualisht paga aktuale minimale deri në 30 mijë lekë e ka zero tatimin. Sa i takon pagave të shtresës së mesme mbi 40 mijë lekë deri në 250 mijë lekë do të taksohen me 13% vetëm për vlerën mbi 40 mijë lekëshin. Në 4-vjeçarin e ardhshëm, Rama premtoi se do të ketë përsëri rritje rrogash për disa kategori, por jo për parlamentarët.Për kryeministrin taksa progresive ecën mbi parimin e së drejtës dhe kush paguhet më shumë duhet të paguajë më shumë, ndërsa programin e kundërshtarëve për taksën e sheshtë 9%, e cilësoi në favor të të pasurve, që deri dje opozita i ka akuzuar si oligarkët e PS. Jashtë vëmendjes nuk mbeti as biznesi, që do të jetë pa taksa deri në vitin 2029. Qeveria ka menduar edhe për një paketë të dedikuar për fasonerinë si dhe për kthimin e emigrantëve për të investuar në Shqipëri. Nga ana tjetër qeveria krahasoi edhe të ardhurat nga investimet e huaja, sipas të cilët janë 200% më të larta në vlerë monetare sesa gjatë qeverisjes së PD-së.