2 të prekur nga koronavirusi/ Rama në mbledhjen e qeverisë: Pas kontaktit 28 vjeçari, infektoi edhe babanë

9 Mars 2020, 09:12 | Përditesimi i fundit: 2020-03-09 11:12:17

TIRANE-Qeveria shqiptare është sot lidhur me masat mbi koronavirusin. Lajmi për mbledhjen e Këshillit të Ministrave në mëngjes në orën 09:00 konfirmohet nga burime për Shqiptarja.com.

Në mbledhjen e nesërme të qeverisë priten të diskutohen masat e reja lidhur me koronavirusit, të cilët janë marrë në takimin e sotëm mes ekspertëve Komitetit teknik. 

"Po diskutojmë në këto momente me ekspertët e komitetit teknik, për masat e shtuara për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, pas vendimit që hyri sot në fuqi në vendin fqinj për izolimin total të zonave të kuqe.  Çdo masë e shtuar dhe vendim që do të merret, do të vendoset nga ekspertët. Deri në këto momente, nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19 në vendin tonë", bën me dije ministria e shëndetësisë.

Në 25 shkurt, qeveria shtoi 1 milion dollarë në buxhetin e spitaleve për të rritur stokun e mjeteve të mbrojtjes personale në struktura, siç janë maskat mbrojtëse apo dezinfektues për duart e doreza. Prej disa javësh strukturat e shëndetësisë janë në gatishmëri, po ashtu edhe kontrollet në pikat kufitare, por fatmirësisht deri tani nuk është shënuar asnjë rast. Ministria e Shëndetësisë kërkoi sot që qytetarët që vijnë nga zonat e prekura të vetëkarantinohen për 14 ditë.

Por duket se qeveria nuk do të mjaftohet me kaq, pasi alarmi në Itali, sidomos pas vendimit të sotëm të kryeministrit Conte për bllokimin e lëvizjes në Lombardi dhe 14 provinca do të rrisë akoma më shumë masat edhe në vendin tonë duke pasur në konsideratë faktin që fluturimet vijojnë normalisht. Partia Demokratike i kërkoi qeverisë që të shpallë gjendjen e emergjencës dhe Presidentit Ilir Meta të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Gjithashtu Presidenti Ilir Meta kërkoi që të merret si një masë parandaluese ndaj koronavirusit, aplikimi i "Zonës së Kuqe", njësoj si në Itali me zonat e prekura si dhe duhet rritur fondi i përcaktuar nga qeveria për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes për personelin mjekësor.