Rama: 95% e shërbimeve janë online, 7 vite më parë ishin 1%! Shqipëria lider në rajon në qeverisjen digjitale

19 Mars 2021, 12:13 | Përditesimi i fundit: 2021-03-19 12:48:44

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit “Rruga drejt 25 prillit-Shërbimet për Qytetarët dhe Biznesin”, ka deklaruar se 95% e shërbimeve që bëjnë zyrat e shtetit për dokumenta janë online ndërsa sipas tij para 7 vitesh ishin vetëm 1%.

“Kujtohuni se në sa shumë radhë iu është dashur të qëndroni, pavarësisht moshës që nga nxënësit e maturës për të shkuar në universitet, tek pensionistët në moshën më të thyer për të marrë një vërtetim pensioni. Sa shumë radhë keni bërë për çdo copë letër dhe sa herë, sa shpesh në ato radhët e bëra iu është dashur të ballafaqoheni me fytyrën indiferente, me fytyrën fyese, poshtëruese të shtetit kur iu është thënë: “ik, hajde nesër”, “ik s’kam mundësi sot”. “Ik, ik, kthehu, kthehu”.

Dhe në sa shumë raste ju është dashur të paguani për të kaluar radhën, të paguani për të gjetur një rrugë më të shkurtër që ajo e shkretë copë letër që iu takon me ligj dhe me zakon t’ju vijë në dorë.

A ju kujtohet, se mirë dritat venin e vinin sipas humoreve të perëndisë apo natyrës ose sipas këputje - shkëputjeve të një kompanie të kthyer në një makth për ju, por edhe kur duhet të paguanit ato fatura afrofe, jo sipas asaj që kishit konsumuar, por sipas asaj që iu caktonin të paguanit, duhet të rrinit në radhë.

Duhet të rrinit në radhë shpesh herë në rrugë, në shi, në diell. Për çfarë? Për të paguar.  A ju kujtohet se në sa shumë raste, në sa shumë raste, sidomos ata që kanë patur shpesh nevojën për të marrë dokumente iu është dashur të kërkoni një mik, të kërkoni një emër, një mbiemër të njohur, të kërkonit një krushk, një fqinj për t’iu ardhur në dorë ajo e shkretë copë letër.

Këto ishin sportelet tuaja, ky ishte shteti juaj, shteti ynë, deri përpara 7 vitesh.