Rama afat deri në 5 qershor bizneseve: Aplikoni për pagën e luftës së punëtorëve ose ju pret gjoba

28 Maj 2020, 14:59

TIRANE-Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar edhe njëherë bizneset që të aplikojnë për pagën e luftës për punonjësit, pasi në të kundërt do të gjobiten. Afatin, kreu i qeverisë ua ka lënë deri në datë 5 qershor në të kundërt i pret gjoba. Kryeministri garanton punonjësit do të marrin pagën.

"Paralajmërim për disa punëdhënës dhe njoftim për disa mijëra punonjës.

Punëdhënësve:

Administrata Tatimore ka kryer të gjitha verifikimet për mijëra punonjës - më shumë sesa 109 mijë e 664 punonjësit e shpërblyer deri tani me Paketën e Zgjeruar - të cilëve u takon mbështetja e Qeverisë Shqiptare prej 40.000 lekësh!

Ata ende nuk e marrin dot këtë shpërblim, sepse ju nuk keni kryer detyrimin tuaj ligjor e moral për ta, duke mos aplikuar në faqen zyrtare të Tatimeve për shpërblimin e tyre! Kjo është e turpshme, përveçse e dënueshme me ligjin në fuqi.

Keni 1 javë kohë, deri në 5 qershor, të plotësoni online Formularin me të dhënat e individëve përfitues në sipërmarrjet tuaj, në të kundërt penalizimi për mosaplikim për cënimin e hapur të së drejtës së punonjësve tuaj, do të jetë i pashmangshëm!

Punonjësve në fjalë:

Keqardhje për këtë vonesë të krijuar nga punëdhënësit tuaj, e cila është toleruar deri këtu duke u shkruar e rishkruar atyre që ta përmbushin detyrimin, pa vepruar me gjobat përkatëse! Por kjo situatë do të marrë fund brenda datës 5 qershor dhe në rast se tatimpaguesi ku ju jeni/keni qënë të punësuar, nuk do të aplikojë brenda deri në 5 Qershor për ju, pagesa për ndihmën financiare do të kryhet menjëherë në llogarinë tuaj, në mënyrë automatike dhe punëdhënësi përkatës do të ndëshkohet!

    No videos found.