Rama akuza bashkisë Kavajë: Ndërton pallate në rërë, s’ka ardhur ende dora e prokurorisë

31 Mars 2019, 16:49

Kryeministri Edi Rama vizitoi shkollën “Charles Telford Erikson” në Golem, Kavajë, e cila është një shkollat më të vjetra të profilit bujqësor në Shqipëri.  Këtë vit, kjo shkollë e rëndësishme profesionale u ndërtua krejtësisht e re, sëbashku me bazën prodhuese, me një investim të buxhetit të shtetit prej 250 milionë lekësh. Aktualisht në këtë shkollë mësojnë 162 nxënës në 3 drejtime mësimore, Agrobiznes, Veterinari dhe Ekonomi.

Megjithëse shkolla aktualisht nuk ka një sipërfaqe të mjaftueshme për bazën e saj prodhuese, me investimin e ri, ajo ofron një bazë eksperimentale model edhe për shkollat e tjera profesionale. Por baza ende nuk është kompletuar tërësisht dhe kjo do të bëhet në një fazë të dytë investimi. Kërkesës së mësuesve për mbulimin e serave të bazës prodhuese, kryeministri iu përgjigj se mund të realizohet menjëherë, përmes mbështetjes së AZHBR. 

Por konviktet të administruara nga bashkia mbeten prej vitesh problematika më e madhe për shkollën.  Shpesh, gjendja e tyre e mjerueshme bëhet pengesë për prindërit që duan të arsimojnë fëmijët e tyre në profilet që shkolla ofron. Pasi dëgjoi shqetësimin e mësuesve lidhur me konviktet, Kryeministri kërkoi prej tyre hartimin e një projekti dhe premtoi mbështetje për zgjidhjen më të mirë të mundshme. Ai lëshoi akuza në drejtim të bashkisë së Kavajës, që drejtohet nga Isa Sakja i zgjedhur nga Partia Demokratike.

Të bëhet një projekt për konviktet dhe bëjmë konviktin si pjesë e shkollës dhe t’ia lëmë shkollës, ose të gjejmë një formë administrimi se bashkia këtu nuk ka ndërmend të bëjë as konvikte as shkolla. Bashkia këtu ndërton pallate në rërë, akoma sot e gjithë ditën dhe s’kanë faj përderisa sot akoma s’ka ardhur dora e prokurorisë.  Ndërkohë bëni projektin ose në qoftë se e keni çuar në bashki ta merrni mbrapsht. Ta bashkojmë shkollën me konviktin dhe të gjithë këtë ta bëjmë si kampus për nxënësit dhe pastaj të shikojmë edhe projektin e shkollës 9 vjeçare Golem“ -  u shpreh kryeministri.

    No videos found.