Rama: Anëtarësia do të vlerësojë në 3 cikle deputetët dhe mua! Kush merr më shumë vota, në lista

9 Tetor 2020, 23:25 | Përditesimi i fundit: 2020-10-09 23:32:39

TIRANË- Deputetët socialistë do të vlerësohen nga anëtarësia e partisë, jo një, por tre herë është kujdesur të theksojnë kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së. Qëllimi i këtij vlerësimi, ka sqaruar kreu i qeverisë, është jo vetëm për të kuptuar ata se çfarë mendojnë, por për të përmirësuar vetveten. Më pas mbi bazën e këtyre vlerësimeve do të bëhet edhe përzgjedhja e deputetëve për zgjedhjet e 25 prillit. Vlerësimi do të nisë në muajin nëntor, për të vijuar në janar dhe në fund në shkurt.

Në filtër do të jetë edhe ai vetë, ndërkohë që ka njoftuar edhe për hapje brenda partisë ku të gjithëve do u jepet mundësia për të qenë deputet nën siglën e socialistëve në zgjedhjet e 25 prillit.

" Vlerësimin e të gjithë anëtarëve të PS-së, tre herë një herë që e lëmë pak fleksibël që të përfshihen të gjithën , në nëntor, janar dhe shkurt. Në platformën që kemi krijuar për familjen tonë politike, vlerësimin për qeverinë, nga unë, ministër për ministër, dhe hapim tani edhe derën për këdo në Shqipëri apo emigracion që mendon se ka arsye që të shprehë interesin për të qenë pjesë e skuadrës sonë", tha Rama, duke qartësua edhe një herë se nuk ka koalicion me asnjë parti ekzistuese, pasi asnjëra nuk i plotëson kushtet për të qenë krah socialistëve në zgjedhje.

Përpara socialistëve të cilët kësaj here ishin më të pakët në numër për shkak të pandemisë së COVID-19, Rama prezantoi shtyllat kryesore mbi të cilët do të bazohet plani i tyre. Infrastruktura, transporti, energjia, burimet natyrore dhe digjitalizimi, do të jenë pikat kyçe të PS-së për këto zgjedhje. Në 1 orë e 51 minuta fjalim, Rama renditi punët e bëra nga PS-ja që në mandatin e parë dhe të dytë që tha se ishin për të ndaluar rrënimin dhe hemorragjinë e lënë nga paraardhësit, dhe se mandati i tretë duhet për Shqipërinë. Nga aeroportet tek portet turistike, ai bëri me dije se kantieret e tyre do nisin para se të mbarojë ky katër vjeçar. 

Nuk kanë munguar edhe sulmet për kundërshtarët, ku fokusi ka qenë LSI-ja dhe presidenti Ilir Meta. Në fund, Rama ka kërkuar që të mos ndryshohet Kryesia edhe për një vit, kjo sipas tij jo se i druhet hatërmbetjeve të mundshme,  por sepse ka mbetur i kënaqur nga puna e tyre dhe se më tepër i fokusi është vetëm fitimi i një mandati të tretë qeverisës. Për këtë është i bindur, madje për një fitore shumë të thellë.