Në kuadër të një turneu treditor në vendet e Ballkanit Perëndimor, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, zhvilloi sot një vizitë në Shqipëri, ku është pritur në ceremoni te "Pallati i Brigadave" nga kryeministri Edi Rama.
Qëllimi i vizitës është përgatitjet e samitit BE-Ballkan që mbahet në Sofje më 17 maj. Pas takimit kokë më kokë, kryeministri Edi Rama dhe kreu i qeverisë së BE, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku në fokus ishte padyshim rekomandimi i KE për çeljen e negociatave. Rama tha se pret nga BE vendimin e shumëpritur, atë të çeljes së rrugës së anëtarësimi në BE, duke e konsideruar këtë si interes kombëtar.
Të gjithë shqiptarët presin me padurim të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të kemi sa më parë të jetë e mundur, mbështetjen e plotë e të gjitha vendeve anëtare për këtë rekomandim. Ne rekomandimin e cilësojmë si përfundimin e një faze dhe çeljen e një faze të re, më sfiduese edhe më të vështirë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Nga ana tjetër, jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat dhe vështirësitë që na presin në këtë proces, ashtu sikurse kemi bindjen e plotë se këto sfida dhe vështirësi janë të kapërcyeshme vetëm përmes këtij procesi bashkëpunimi dhe ndërveprimi që deri tani na ka sjellë në këtë pikë mes vendit tonë, Komisionit dhe vendeve anëtare të BE.
Nga ana e tij, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, megjithëse u shpreh me nota optimiste, theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do i ngjajë një rruge me pengesa sesa një autostrade. Sfidë, Tusk cilësoi bindjen e vendeve skeptike.
“Do të jetë sfidë që të binden të gjitha shtetet anëtare të BE. Jam i vetëdijshëm që ky proces do i ngjajë një gare me pengesa se sa një autostrade, por BE dhe Ballkani Perëndimor e kanë vendin sëbashku, mund të mbështeteni tek unë edhe në këtë proces të ndërlikuar.
Edhe pse jam i kujdesshëm, sot mund të them se jam optimist kur bëhet fjalë për këtë perspektivë afatgjatë dhe në këtë perspektivë afatshkurtër përsëri optimist”.
Donald Tusk, Presidenti i Këshillit Europian