TIRANE - Kryeministri Edi Rama anuloi udhëtimin për në New York pas lëkundjeve të fuqishme që goditën pasdite Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama ndodhej në Frankfurt dhe mori me urgjencë fluturimin për në Tiranë. Sonte në mbremje rreth orës 23:00 kryeministri Edi Rama, me të mbërritur në Tiranë do të shkojë për të vizituar të lënduarit nga tërmeti që ndodhen në Spitalin e Traumës.
Ndërkohë pak para mesnate, rreth orës 23:30, kryeministri do të mbledhë qeverinë në një mbledhje të jashtëzakonshme. Në mbledhje pritet të diskutohet mbi masat që duhen marrë në vazhdimësi për lëkundjet e mundshme por edhe analizimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve të këtij tërmeti të fuqishëm që preku pasditen e sotme Shqipërinë. Mbledhja pritet të ndajë detyrat për të koordinuar punën e të gjithë strukturave vendore dhe qendrore për përballimin me gatishmëri të plotë 24 orë në ditë të pasojave të tërmetit.