#reportTV #lajmeshqip #lajme TIRANË- Një lajm shumë i mirë e ka cilësuar kryeministri Edi Rama arrestimin e 4 bashkëpunëtoreve të Tires te 'Shefqet Ndroqi', pasi sipas tij kjo është një mesazh shumë i qartë për qytetarët që bëhet drejtësi. Në një kohë kur rastet ditore prej më se një jave janë rreth 1000, Rama tha se do të jetë përshkallëzim të masave. Për këtë do të vendosë Komiteti Teknik i Ekspertëve i cili do të mblidhet ditën e nesërme, edhe pse ai është i bindur se nuk ka nevojë për masa shtesë, por thjesht të zbatohen në mënyrë rigoze rregullat që janë aktualisht në fuqi. Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka sqaruar edhe një nga problematikat që është komentuar gjatë pandemisë, që është dërgimi i ushqimeve nga vetë familjarët për të afërmit e tyre me COVID. Manastirliu tha se kjo gjë ka qenë e ndaluar, por është lejuar pasi është parë si një mënyrë e komunikimit e pacientit me të afërmin e tyre. Ajo shtoi se ushqimi është i siguruar nga spitali, por familjari nuk ndalohet që të sjellë diçka shtesë si një shenjë kujdesi të treguar ndaj tij.Ndalur te shëndetësia, në një prizëm më të gjerë se veçse pandemia, Rama tha se do të riformohet i gjithë sistemi, me qëllim zhdukjen e korrupsionit. Për të mos i lënë hapësirë opozitës që ta shoh këtë si një premtim elektoral, numri një i qeverisë tha se autonomia e spitaleve nuk është bërë më herët gjatë qeverisjes së tij pasi nuk ka qenë infrastruktura e duhur, pra sipas tij nuk ka pasur shtretër, ilaçe, batanije. Tani më, kjo infrastrukturë, tha Rama, është realizuar dhe do japë mundësi spitaleve që të jenë 'pronë e pacientit' dhe jo e shtetit. Edhe pse fokusi ishte shëndetësia, Rama nuk u shpëtoi pyetjeve të gazetarëve sa i përket politikës. Ai komentoi me ironi videon e kryedemokratit Lulzim Basha duke gatuar dhe foli për marrëdhënien me ish- kryeministrit Fatos Nano.
