TIRANE-Kryetari i PS, Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së grupit të partisë se Lulzim Basha u tradhtua nga kunati i Albert Veliut i njohur i ‘Babalja’, pasi nuk mori shumën e eurove që iu premtua për të luajtur rolin e vëllait të ministrit të Brendshëm në audio përgjimin e publikuar nga PD disa muaj më parë dhe që u cilësua nga prokuroria si montazh. Kryeministri u shpreh se nuk ishte vetëm ekspertiza që konfirmoi montazhin, por edhe vetë ‘aktori i pa paguar sipas premtimit të Bashës, që i ka dalë për zot zërit të vet në përgjim’.
U sajua shpifja ndaj Xhafajt dhe ajo ndaj kryetarit të grupit parlamentar. Monstruoze shpifja ndaj ministrit, u sajua në dy skuta, do të presim që të hedhë dritë prokuroria, PD me një trafikant dhe disa mjeranë të tjerë bënë filmin që dihej. Një skandal i fabrikuar për vëllanë e ministrit si të përfshirë në trafik droge dhe opinioni u mor peng. Ua kam thënë qëkur plasi ai gjiriz ndërsisë, ajo bisedë nuk ka ekzistuar kurrë. Vëllai i ministrit në atë përgjim është një mjeran i joshur për të luajtur atë rol në këmbim të parave. Atë ditë kur fola kisha konfirmimin nga një laborator ndërkombëtar. Nuk është vetëm analiza shkencore por vetë aktori i pa paguar sipas premtimit të Bashës, që i ka dalë për zot zërit të vet në përgjim. Edhe një herë si zakonisht ky që kërkon vetting për thashetheme nuk ka mbajtur fjalën e dhënë dhe aktori e ka tradhtuar regjisorin se nuk i ka marrë njëlloj si babalja eurot e premtuar për rolin. Si mundet një parti të katandiset në një kinostudio. Fatkeqësisht zullumi është më i trashë se kaq. Sepse babalja nuk ra nga qielli dhe nuk e çoi te SHQUP-i ai gazetari kurajoz dhe këtë e di mirë kryetari i opozitës, prandaj kërcënoi prokurorinë. Po i vjen fundi i lojës.