Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektuan ditën e sotme kantieret e Rrugës së Arbrit, ku po ecet me ritme mjaft të kënaqshme, për të kapur afatin e premtuar, pranverën e vitit 2021. Ata ndaluan në dalje të tunelit T5, i cili ka një gjatësi prej 500 metër dhe është përfunduar plotësisht, përveç shtresës së asfaltit. Me të njëjtat ritme është punuar edhe në Urën e Vashës, ku kanë mbaruar themelet dhe është montuar gjysma e strukturës metalike.
“Ura e vashës përfundon gjatë periudhës së verës. E konsiderojmë si një ndër urat më të larta në rajon, 150 metra nga niveli ku është nisur,” u shpreh ministrja Balluku.
Kjo urë përbëhet nga themele betoni dhe strukturë metalike tip kapriate, hark. Edhe në krahun tjetër të urës, në hyrjen e tunelit T6, që ka një gjatësi 335 metër, është ecur paralelisht dhe tashmë është hapur plotësisht, si dhe po avancohet me fazat e tjera të punimeve.
Në Rrugën e Arbrit deri më tani janë realizuar afro 40% e punimeve.
“40% i volumit për momentin. Jemi para afatit dhe besoj se pjesën më komplekse e kemi kaluar,”shprehet përfaqësuesi i firmës ndërtuese.
Kryeministri Rama u shpreh se e gjithë kjo vepër do të mbyllet brenda pranverës së vitit 2021. “Kontrata e ka në nëntor, ne e kemi lënë në pranverën e 2021-it,” tha Kryeministri. Nga ana tjetër ai nënvizoi pjesën panoramike të të gjithë kësaj rruge, e cila do të jetë mjaft atraktive edhe për turistë e vizitorë të shumtë, që mund të shfrytëzojnë bukuritë e zonës.
“Kjo rrugë ka dhe një efekt panoramik të jashtëzakonshëm. Është rrugë fantastike. Është e vështirë për t’u bërë, por kur të mbarojë do jetë e bukur,” tha ndër të tjera Kryeministri Rama.
Kryeministri nuk i kurseu as batutat me përgjegjësin për punimet në këtë rrugë, të cili i tha të heqë dorë nga PD pasi ajo ka mbetur në ajër si ajo ura që nuk është lidhur akoma.
"Po lëre PD se të ka ndelur mendja tek PD-ja, nuk hoqe dorë. PD-ja është bërë si ajo ura jote që nuk është lidh akoma, ka ngelur në ajër", tha Rama.
Puna për rrugën e Arbrit tashmë ka hyrë në një faze më të avancuar të grafikut të punimeve, duke u përqendruar në ndërtimin e trupit të rrugës dhe të shtresave rrugore, përfshirë dhe ata të gjelbërimit, në ndërtimin e llojeve të ndryshme të veprave të artit, në punimet për hapjen, betonimin dhe ato elektro-mekanikë të tuneleve, në ndërtimin dhe montimin e urave të mëdha, në drenazhimin e trupit të rrugës, etj..
Aktualisht po punohet pothuajse në të gjithë gjatësinë e rrugës. Kjo rrugë ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km nga të cilat deri më sot janë hapur plotësisht 5 tunele dhe po vazhdon hapja e tunelit të Murrizit nga dalja e tij. Ne total janë hapur deri me tani 2.8 km tunel.