Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i bëri thirrje aleancës për integrimin edhe të Kosovës për të shmangur influencat e vendeve të treta. "Shqipëria përgatitet që të nisë veprën e rëndësishme të bazës së NATO-s në Kuçovë, që do të jetë ndër më të mëdha të aleancës në këtë rajon dhe më moderne. Do të jetë një bazë e rilindur. Një rajon që pas 100 viteve luftë, falë edhe NATO-s, Ballkani gëzon sot më në fund, një periudhë paqe, ripajtimi dhe bashkëpunimi.
Të mos e harrojmë Presidentin Kenedi, që thoshte se 'paqja nuk është e mirë e përditshme, por një proces i pandërprerë, përpjekje e përditshme'. Ekstremizmi i dhunshëm nuk është mposhtur, doktrina fanatike e tij nuk mund të shfaroset vetëm me forcën e armëve, por edhe mendjes dhe shembullit të kësaj aleance. Nacionalizimi në rritje, kriza e refugjatëve, apo emigrantëve në Mesdhe dhe lufta kibernetike janë rreziqe reale. Aneksimi i Krimeve është nga dëshmitë e kësaj dukurie.
Anëtarësimi i Malit të Zi dhe Maqedonisë kanë forcuar stabilitetin e Ballkanit duke mbushur vakumin pas ndryshimeve tektonike pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Në mënyrë që Ballkani të mos jetë kurrë më që influenca të vendeve të treta arrijnë që të depërtojnë deri në zemër të Europës, është e rëndësishme që edhe Kosova të bëhet pjesë e aleancës. Shqipëria beson se integrimi i Kosovës është një domosdoshmëri, jo për Kosovën thjeshtë, por për të gjithë familjen atlantike. Ballkani i gjithë në NATO është vizion strategjik dhe e Kosovës do të ishte një kapital i shtuar" tha Rama.Edi Rama kërkoi nga partnerët europianë që të besojnë te shqiptarët, ashtu si NATO-ja para 10 viteve që e pranoi në Aleancë. "Buxheti i mbrojtjes për 2019 njeh një rritje 10%, ku përfshihet rritja e pagave për ushtarakët, do të vijojë modernizimi i FA-së. Jam i vetëdijshëm që nuk mjafton, viti që shkoi iu kushtua Skënderbeut. Falenderoj në emër të gjithë shqiptarëve aleatët tanë të mëdhenj, SHBA-në dhe europianët.
Procesi i integrimit duhet të vijojë në të njëjtën aftësi për të besuar te Shqipëria, që patën aleatët kur aprovuan anëtarësimin në NATO. Në një dekadë si pjesë e NATO-s, Shqipëria ka qenë mishërimi i shprehjes së Nënë Terezës 'Jo të gjithë ne, mund të bëjmë gjerë të mëdha, por secili mund të bëjë gjëra të vogla me përkushtim të madh'. Këtë Shqipëria do të vijojë që ta bëjë. Të parët na kanë lënë një amanet 'Dielli i shqiptarëve lind nga Perëndimi' tha Rama.
Rama: BE-ja të besojë te Shqipëria, ashtu si NATO, kosova të bëhet pjesë e Aleancës
No videos found.