Rama: Biznesi i vogël dhe familjarët që humbën punën s'do paguajnë qiratë!

2 Prill 2020, 14:55 | Përditesimi i fundit: 2020-04-02 22:43:32

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se bizneset e vogla që janë mbyllur për shkak të situatës së luftës nuk do të paguajnë qiranë. Kjo masë mbështetëse vlen edhe për familjarët që janë regjistruar në shtet dhe të gjithë studentët, të cilët për shkak të COVID-19 janë detyruar që të lënë shtëpitë me qira dhe të kthehen tek familjet e tyre ose kanë humbur punën dhe s'kanë asnjë të ardhur tjetër.

 Duke paralajmëruar se është gati Akti Normativ për masat e veçanta, kreu i qeverisë ka theksuar se në rast se qiradhënësit do të bëjnë rezistencë, do të gjobiten sa pesëfishi i vlerës së qirasë përkatëse! Edhe punonjësit që kanë qenë në të zezë, të padeklaruar, sqaron Rama, do të mund të përfitojnë, por me kushtin e vetëm që fillimisht të denoncojnë punëdhënësin e tyre. Për zbatimin e këtij urdhri është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, institucioni i cili do të marrë të gjithë ankesat në çdo rast presioni nga qiradhënësit.