Pezullimi i fluturimeve në aeroportin e Rinasit për shkak të bojkotimit të punës së kontrollorëve të trafikut ajror në Rinas, ka sjellë përplasje edhe midis përfaqësuesve të politikës në vendin tonë.
Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook, e cilëson protestën si një sabotim të rëndë të aktivitetit të Aeroportit "Nënë Tereza" dhe se nuk do të tolerohen.
Frymëzuesit e asaj që Rama i cilëson si lëvizje të çartur, janë sipas tij Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas Ramës, këta të fundit duan mbylljen e aeroportit që në vend të mos vijnë vaksinat.
"Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit "Nënë Tereza" nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës "Leshko" dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat! Organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë:O me shtetin në punë o me anti-shtetin në një proces penal për cenim të sigurisë kombëtare. Bojkotimi i punës për kontrollin ajror është vepër penale dhe ndëshkohet ligjërisht!'- shkruan kreu i qeverisë.
Sakaq presidenti Ilir Meta në një reagim në rrjetet sociale ka publikuar një shkresë zyrtare ku thotë së ka njoftuar kryeministrin Edi Rama mbi problematikat që i kishte adresuar Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Transportit Ajror.
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar Ramën, duke i bërë thirrje që të ndalë grevën dhe kërcënimet ndaj shqiptarëve.
