Rama dialog me studentët e UBT: Në janar do të paguani vetëm 50% të tarifës së studimit

18 Dhjetor 2018, 14:51

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga një takim 3 orësh me pedagogët dhe studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës se, qeveria do të paguajë në janar 50% të tarifës së studimit për studentët e bachelorit.

Teksa takimi është zhvilluar midis debateve të vazhdueshme në kuadër të tetë kërkesave të parashtruara, kreu i ekzekutivit iu drejtua studentëve duke u thënë se në të vërtetë arsimi ka më shumë probleme sesa tetë pikat e parashtruara, pavarësisht se iu ripohoi për të disatën herë se qeveria do të ndërmarrë përsipër plotësimin e tyre.

Rama tha prerazi në këtë takim se do të shkarkohen të gjithë anëtarët e bordeve të universiteteve që janë vendosur nga qeveria, si dhe ripohoi punësimin që do t'iu ofrohet studentëve të ekselencës nëpër administratat e shtetit. 

Rama ripërsëriti më tej qëndrimin e qeverisë ndaj cështjes së heqjes totale të tarifës së studimit, duke u shprehur se tarifa do të hiqet vetëm për studentët ekselentë dhe ato të ardhur nga familje me nevoja ekonomike.

Ndërkohë paralelisht me këtë takim, studentët e Tiranës kanë vijuar protestën e tyre, e cila tanimë ka hyrë në ditën e 15 të saj. Ata e nisën në orën 10:00 me bllokimin e rrugëve kryesore në kryeqytet, ndërsa më pas i janë bashkuar grupit të studentëve që gjendeshin përpara Kryeministrisë.

    No videos found.