Punimet në stadiumin “Arena Kombëatre” kanë hyrë në fazën e fundit. Prej pak ditësh ka përfunduar pjesa e betonit dhe e strukturës metalike ndaj aktualisht po punohet për montimin e fasadës së jashtme dhe të brendshme të stadiumit, nderkohë që pjesa më e madhe ka përfunduar.
Dita ditës, stadium që deri më tani ka kushtuar afro 70 mln euro, po i ngjan projektit fantastik me ngjyra kuqezi, që parashikon të ketë në impiant mbi 22 mijë persona. Paralelisht me ndërtimin e fasadës po vendosen edhe stolat, ndërkohë që po punohet edhe për ndërtimin e perimetrit të fushës.
I njëjti ritëm punimesh vijon edhe në ambientet e brendshme të ‘Arenës Kombëtare’. Është drejt përfundimit faza e lyerjes së ambienteve, ndërsa po bëhet nga dita në ditë kompletimi i dhomave të zhveshjeve dhe tualeteve. Gjithashtu, punimet me lyerjen apo edhe me montimin e pjesës elektrike kanë vijuar me ritëm edhe në katet e sipërme të tribunave.
Ndërkohë sot për stadiumin e ri në qendër të kryeqytetit ka postuar edhe kryeministri Edi Rama, i cili në rrjetet sociale shkruan: “Kur thosha do jetë një ndër stadiumet më të bukur të Europës, shumëkush tallej dhe disa gjuanin me baltë si zakonisht, por ja, edhe pak dhe ARENA KOMBETARE do të hapë dyert e do të hyjë në revistat e arkitekturës, si një ndër stadiumet më të bukur të Europës.”