Portali “Mjekë për Shqipërinë” do shërbejë si mundësi punësimi për mjekët specializantë. Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me mjekët siguroi se do ketë një proces punësimi transparent dhe pa ndërhyrje teksa shtoi se në spitale janë 112 vende pune.
Me krijimin e një sistemi online është e pamundur ndërhyrja nga jashtë, përmes parave, miqve, apo partive politike. Këtë theksoi kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të portalit “Mjekë për Shqipërinë”.
Ai tha se sot janë 112 vende pune në spitalet, ndërsa ftoi mjekët e rinj të aplikojnë duke u garantuar se procesi i garës do të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë. Rama theksoi mes të tjerash se ka përfunduar koha kur mjekët dhe infermierët zgjidheshin nga partitë politike.
“Mësuesit, infermierët kanë hequr shumë keq për shkak të politizimit nga emërime, largime, transferime dhe për shkak të një mungese të plotë garancish për meritat si pasojë e politizimit. Portali e depolitizoi tërësisht sistemin duke e kthyer nga një sistem të mbyllur në një sistem të hapur transparent. Para disa viteve listën për regjistrimin e infermierëve e bënin partitë politike dhe rekrutimin e bënin në bazë të pozicioneve politike. Sot jemi në një situatë katërcipërisht ndryshe, sot përmes portalit infermierët ankohen në bazë të testimit dhe nëse hapet një vend pune, struktura përkatëse u drejtohet portalit dhe shikon klasifikimet.