Rama: Dilni nga greva dhe do vij unë vetë tek ju! Naftëtarja: Kur fëmija im të shkojë të blejë bukë

23 Tetor 2020, 16:31 | Përditesimi i fundit: 2020-10-23 16:35:14

TIRANË- Kryeministri Edi Rama është shprehur i gatshëm që të takohet menjëherë me naftëtarët, por me kushtin që të dalin nga greva. Mos caktimi i datës apo orës siç kanë kërkuar naftëtarët, për Ramën nuk është heshtje, por thekson se nuk ka negociata me presione dhe ultimatume.

"Unë jo vetëm nuk po hesht por po përsëris çdo ditë: Ndalni grevën dhe ulemi diskutojmë për hallin tuaj! Nuk ka negociata me presione e me ultimatume në një familje, po ka qarje halli me logjikë e me zemër të hapur! E thjeshtë:Dilni nga greva dhe do vij unë vetë tek ju menjëherë", shkruan Rama.

Mes mosbesimit dhe frikës se nëse dalin nga greva, problemi i tyre nuk do të zgjidhet, gratë naftëtarë nuk tërhiqen pas. "Jemi pa bukë o vëllezër", është kjo një thirrje e dalë nga shpirti i një naftëtareje, e cila thotë se atëherë kur të shoh fëmijët duke shkuar në dyqan për të blerë ushqime për të ngrënë atëherë është e gatshme që të dalë nga greva, siç Rama e kërkon. "Kur të shoh që fëmija im do shkoj të blejë bukën e ndal grevën urgjentisht dhe negociojë. Rama të shkojë në administratën e Uzinës dhe hidhen lekët e prapambetura dhe unë të iki në shtëpi. Nuk kemi bukë për fëmijët o vëllezër, e kam thirrje nga shpirti. Më kërkon vajza "ma ku të kërkoj bukë sot", tha naftëtarja.

Burrat vendimin përfundimtar ua ka lënë grave naftëtare, pasi janë ato që po sakrifikojnë jetën e tyre.  "E përgëzoj kryeministrin për lajmin e mirë, verdikti nuk është i mi apo i dikujt ne këtu, verdikikti është i atyre grave, bujrum në Ballsh të ulemi të negociojmë për një zgjidhje. Rama të vij këtu të ulet mes grave të dikutojmë", tha naftëtari.

Sot është dita e 9 e grevës së urisë në uzinën e Ballshit dhe palët nuk "lëshojnë pe". Dy gra janë dërguar mbrëmjen e djeshme në spital pas kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe pasi kanë marrë trajtimin e duhur janë rikthyer sërish në ambientet e grevës.