Kuvendi i Shqipërisë i ka fokusuar diskutimet e sotme tek rekomandimi pozitiv dhe pa kushte i Komisionit Evropian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari vlerësoi këtë raport por kërkoi që të ngrihen urat e dialogut politik, e bashkëpunimit me grupet e interesit. Siç ajo u shpreh, të zbatohet ligji në Kuvend edhe nga vetë deputetët, pasi tashmë nuk ka më kohë për gabime, kur vendi ynë është në pritje të hapjes, ose jo, të negociatave nga Këshilli i Evropës. Kritikat e Hajdarit u fokusuan edhe tek kryeministri Edi Rama i cili nuk ishte në seancë në nisje të saj, duke thënë se kreu i qeverisë duhej të fliste para shqiptarëve për atë se çfarë përmban raport progresi.
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla e quajti rekomandimin e djeshëm të KE-së një lajm të gëzueshëm dhe meritë në radhë të parë të vetë shqiptarëve. Ai veçoi reformën në drejtësi si një nga proceset më historike që sipas tij mori vlerësimin e Komisionit.