Rama e Veliaj urojnë gëzuar familjen në çadër: Brenda marsit do keni shtëpinë tuaj

31 Dhjetor 2019, 19:09

Gotat e festës trokitën edhe brenda një çadre aty ku qëndron familja Shkalla. Këtë natë të ndërrimit të viteve, familja e Estrefit u vizitua nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kreu i qeverisë tha se kjo është një përshëndetje për të gjithë ata njerëz që këtë dite festive e kalojnë në çadra, pa strehën e ngrohtë të shtëpisë së tyre, që i është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. "Kush është në çadër është prioritet i parë", tha Rama, teksa shtoi se pjesa më e madhe e shtëpive do të nisin të ndërtohen nga muaji mars. Duke marrë parasysh që ato bëhen me parafabrikat, edhe koha e përfundimit është më e shpejtë.

"Ne kemi bërë një pjesë të madhe të planeve tani do të fillojmë. Shtëpinë tënde do ta bëjmë shpejt shumë, se shkova e pash, edhe themelet ishin bërë.  Nga marsi shtëpia do të jetë gati, por derisa të përfundojë shtëpia do të kalojnë në një shtëpi provizore.  Shtëpitë do të bëhen shpejt se do të bëhen me materiale të forta parafabrikate, dhe ato bëhen më shpejt, nuk kanë taksirate temperature, llaçi, janë ekologjike, antisizmike, edhe mobilimin bazë do jua bëjmë ne", tha Rama.