Kryeministri Edi Rama falenderoi të gjithë fqinjët, Bashkimin Evropian, dhe organizatat financiare ekonomike që u solidarizuan me Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Kreu i qeverisë nuk mundi të linte jashtë vëmendjes së tij, faktin që Kosova ashtu si edhe në dy takimet e shkuara të Samitit të Shengenit Ballkanik refuzoi të merrte pjesë. Për shefin e mazhorancës kjo është një nismë në favor të gjithë Ballkanit sa i përket përshpejtimit të procedurave integruese, por tha se është zgjedhje e Kosovës, për të mbetur peng i së shkuarës.
"Në mbyllje të takimit të tretë i nismës së Ballkanit perëndimor për të çuar përpara procese të nisura prej vitesh dhe për të zbatuar marrëveshje të bëra prej vitesh, në radhë të parë të shpreh falenderimin tim më të thellë për të gjithë solidaritetin e shprehur nga të tre miqtë e nderuar që ndajnë bashkë me mua tryezën dhe nga vendet e tyre. U jam shumë mirënjohës të gjithë trupave të kërkim shpëtimit edhe të gjithë individëve dhe grupeve që erdhën nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, për të asistuar Shqipërinë dhe shqiptarët, popullin e prekur në zonën ku goditi fort tërmeti, dhe për të shpëtuar bashkë me të tjerët jetë njerëzish. Është diçka që do të mbetet e mbresuar përgjithmonë në kujtesën tonë, dhe është një shembull kuptimplotë i faktit se ndajmë së bashku fatet tona në një territor, në një hapësirë, ku jemi të gjithë të detyruar të kapërcejmë të shkuarën dhe të ndërtojmë një të ardhme të denjë, me paqe, prosperitet për të gjithë fëmijët tanë. Dua të falenderoj nga zemra përfaqësuesit e BE, departamentin e shtetit, si dhe gjithë përfaqësuesit e organizatave të rëndësishme financiare ndërkombëtare, Bankën Botërore, bankën evropiane të investimeve, BERZH, që ishin në këtë takim, dhe që e mbështesin këtë proces.
Nuk do të lodhem së përsërituri që kjo nismë nuk është përjashtuese për askënd. Është gjithëpërfshirëse, është e hapur, nuk ka kushte, nuk i imponohet askujt, dhe nuk imponohet nga askush. I kemi ftuar edhe në Tiranë, si edhe më parë, të gjithë dhe më lejoni ta them hapur se për mua refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës për të marrë pjesë në këtë tryezë është i pakuptueshëm, dhe mendoj se është i dëmshëm për vetë Kosovën. Ne jemi këtu për të ndërtuar urën midis së shkuarës që na ndan dhe një të ardhmeje që na bashkon. Bindja ime e thellë është se i gjithë ky proces është në koherencë të plotë me ambiciet e shprehura nga vendet, për tu bërë pjesë e familjes Evropiane duke bashkuar forcat për ta përshpejtuar procesin e integrimit në BE, dhe për të krijuar në hapësirën tonë, standardet që i përgjigjen 4 lirive të BE, liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Plagët e të shkuarës nuk kurohen me helm dhe acid, por me ilaçe, dhe ilaçet nuk jemi të ftuar t'i shpikim, mjafton të shohim si kanë funksionuar në realitete të ngjashme, dhe se si dialogu, dakordësia për të mos rënë dakord me gjithçka, por për të punuar së bashku mbi atë që biem dakord, i kanë krijuar gjeneratave të tjera kushte shumë të mira se të shkuarat.
Nisma nuk ndalet dhe do të vazhdojë me bindjen se i kemi të gjitha forcat për të zbatuar marrëveshje që janë bërë më parë. Në asnjë rast historia nuk tregon se vetëizolimi, vetëpërjashtimi, mbyllja dhe refuzimi të kenë sjellë ndonjë të mirë, apo të kenë mbjellë ndonjë pemë me fruta të dobishme për gjeneratat e tjera", tha Rama.