Rama falenderon në disa gjuhë: Në emër të shqiptarëve, na mbështesni! I lumtur nëse flamuri shqiptar do zëvendësonte atë britanik në BE (por nuk them ju lutem)

17 Shkurt 2020, 15:18

Duke thënë 'Faleminderit' dhe 'të lutem' në disa gjuhë të huaja, të mbështetësve më të mëdhenj të Shqipërisë në ditët e vështira të saj të 26 nëntorit, kryeministri Edi Rama nisi fjalën e tij në konferencën ndërkombëtarë të donatorëve. Me fjalë të ndjera në emër të tij dhe të gjithë popullit shqiptar, siç u shpreh, Rama kërkoi mbështetjen për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit që shënoi 51 viktima nëntorin e vitit të kaluar. Kreu i qeverisë tha se teksa vendi ynë bënte plane për të kërkuar dëshpërimisht integrimin në BE, toka u trondit nga tërmeti, ndërsa një tërmet siç ai e quajti, goditi po ashtu edhe Komisionin Evropian, duke iu referuar daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja. Rama tha se do ishte i lumtur që flamurin shqiptar të zinte vendin e atij britanik, por tha se nuk do të lutet për këtë, pasi është një proces i gjatë.