Kryeministri Edi Rama ishte sot në Bubq, të Krujës, ku ka përfunduar infrastruktura nëntokësore e lagjes së re qendrore të njësisë. Ai thotë se javën tjetër nis puna për shtëpitë e më pas pallatet e ulëta që do të sistemojnë në total rreth 150 familje.
Ndërkohë, në këtë zonë ka nisur puna për shkollën e për kopshtin dhe do të vazhdojë edhe me qendrën shëndetësore e me godinën e re të njësisë. Kryeministri shprehu bindjen se “thuajse të gjitha shtëpitë do të jenë në pranverë të mbaruara”.
Në prill-maj me ndonjë vonesë tek-tuk, por në prill-maj këtu do të jetë pjesa e mbyllur. Shtëpitë edhe shkollat, të paktën ato që janë me financime të buxhetit të shtetit. Pastaj donatorët mendoj se do të mund të zgjaten pak më shumë, se ata i kanë procedurat pak ndryshe”, tha Rama.
Ndërkohë, kryeministri theksoi se “deri në mars të gjitha kantieret e e pallateve do të jenë ngritur”.
“Kruja bën përjashtim. Krujën e kam pak shqetësim për shkak se na u desh ta ndryshonim për arsye të terrenit, se ka tjetër specifikë”, tha Rama. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj informoi se këtu kemi një kombinim mes ndërtimit të njësive administrative të komunës dhe një zonë për njësitë individuale dhe një zonë tjetër për ato kolektivet. “Do të jenë 76 njësi individuale dhe 46 apartamente, në një zonë gati 8.3 ha e gjitha, ku përfshihen edhe ambientet komunitare. Po ashtu do të mbillen pemë në të gjithë territorin”, tha Ahmetaj.