Kryeministri Edi Rama tha nga Parlamenti, se është e zakonshme për Ilir Metën të ketë përplasje, jo me mazhorancës, por me drejtësinë. Rama e quajti të turpshme sulmin që Presidenti Meta i bëri ndërkombëtarëve, duke thënë sot në Kuvend, se SHBA dhe BE janë promotorët dhe mbështetësit më të mëdhenj të reformës në drejtësi prej fillimit të procesit.
"Një histori e zakonshme me Ilir Metën dhe edhë një herë tjetër përplasja është jo mes nesh dhe Ilir Metës, por mes Ilir Metës dhe drejtësisë. Dhe edhe një herë tjetër për këdo që do të kuptojë pa hyrë në të thella jemi përballë si Kuvendi i Shqipërisë me njeriun që e ka humbur busullën dhe e ka kthyer institucionin në një frëngji prej ku sulmon nga të katër anët duke qenë ne këtu 100 % jo 99%, por 100 % në të njëjtën linjë me SHBA dhe BE dhe natyrisht pastaj është e lehtë të kuptohet pse si çdo herë tjetër Ilir Meta nuk kursen as partnerët strategjikë dhe as dy aleatët e mëdhenj të palëkundur të Shqipërisë, SHBA dhe BE duke na vënë të gjithëve në një pozitë jo komode dhe të turpshme, sepse insinuon haptaz se këto përfaqësi të nderuara të shteteve që janë qysh në ditën e parë të procesit të reformës në drejtësi promotore dhe mbështetëse të kësaj reforme, akuzohen si të korruptuara. Nuk ka më turp, dhe pas kësaj besoj se nuk ka as nevojë të zgjatemi e të stërgjatei për të shpjeguar arsyet që na sjellin këtu dhe drejtësinë e vendimmarrjeve tona. Këtë herë nuk do merrem me Ilir Metën, por me drejtësinë", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se për zgjedhjen në një seancë të dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është "dakordësuar 100% me aleatët strategjikë, dhe jemi konsultuar me ekspertët të EURALIUS dhe OPDAT", theksoi ai.
Rama e quajti të gjithën, krizë të sajuar artificialisht nga Ilir Meta.