Rama: I ridërgova presidentit kërkesën për dekretimin e Lleshit, Meta: Lexo Kushtetutën

9 Nëntor 2018, 15:28

Kryeministri i vendit, Edi Rama me anë të një statusi në Tëitter është shprehur se sapo i ka ridërguar presidentit Meta kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit. Në statusin e tij, Rama sqaron se bashkëngjitur kërkesës, presidentit i është dërguar edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm.

Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t'i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm.

Edi Rama, kryeministër

Ditën e sotme, presidenti i Republikës, Ilir Meta ka folur për herë të parë përpara mediave lidhur me mosdekretimin e Sandër Lleshit, ministër të Brendshëm. Para gazetarëve Meta u shpreh se të gjithë ata që e sulmojnë për firmën e tij, duhet të lexojnë Kushtetutën dhe kompetencat e kreut të shtetit. I pyetur nëse ka ndonjë arsye konkrete për mosdekretimin e propozimit të kryeministrit, presidenti Meta kërkoi që ta lënë të bëjë detyrën e tij.

Pa dashur të jap leksione për Kushtetutën. Të gjithë amatorëve dhe dilentantëve të njëanshëm i ftoj të lexojnë Kushtetutën dhe kompetencat e Presidentit. Një akt formal apo ceremonial është vetëm betimi tek presidenti. Të gjithë ata që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial por formal dhe se presidenti ka detyrë të firmosë një propozim ... kam një pyetje tjetër: A mundet parlamenti të rrëzojë dekretin e presidentit për një ministër? Sepse dhe kjo nuk është shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutë. Më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë.

Ilir Meta, president i Republikës

 

Nga ana tjetër, maxhoranca thirri parlamentin në një seancë të jashtëzakonshme të martën për të votuar dekretin e shkarkimit të Fatmir Xhafajt, ndërsa me vendim qeverie, në kushtet e mungesës së dekretit nga kreu i shtetit, këshilltari për sigurinë i kryeministrit, u komandua zv/ministër i Brendshëm

    No videos found.