Kryeministri Edi Rama i delegon detyrën e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, zv/ministrit Gent Cakaj i cili u bë mollë sherri për përplasjen Presidencë-Qeveri, pasi Ilir Meta refuzoi të dekretojë emërimin e tij në postin e kryediplomatit. Një ditë pas betimit te Meta, Rama u prit sot në ambientet e Ministrisë nga Ditmir Bushati i cili i dorëzoi edhe detyrën. Në fjalën e tij të shkurtër, kryeministri Edi Rama tha se i delegon drejtimin e ministrisë zv/ministrit Gent Cakaj, duke i dorëzuar atij dekretin e Ilir Metës. "Unë i nënshkruari Edi Rama, i delegoj z. Gent Cakaj, detyrën e drejtimit të Ministrisë së Jashtme", u shpreh Rama.
Një ditë më parë Rama u betua para presidentit Ilir Meta. Kryeministri Edi Rama u propozua nga grupi parlamentar socialist për postin e kryediplomatit pas përplasjeve me Ilir Metën i cili refuzoi të dekretojë emrin e Gent Cakajt si pasues të Bushatit. Refuzim i cili solli replika të forta mes Ramës dhe Metës të cilët nuk kursyen as akuzat e ndërsjella.