Rama: Inceneratori i Elbasanit prodhon energji prej 2017, por ERE s'i jep çmimin! Kompania ia shet bashkisë, por s'arkëton asnjë lekë!

16 Tetor 2020, 18:46 | Përditesimi: 16 Tetor 2020, 19:37

TIRANË- Përballë akuzave që inceneratori i Elbasanit nuk punon, kryeministri Edi Rama tha dje në "Opinion' se ai ka prodhuar energji që nga viti 2017, por Enti Rregullator të Energjisë (ERE) nuk i ka caktuar një çmim për ta shitur në treg dhe çështja është në gjykatë.

Burime bëjnë me dije se kompania ia shet Bashkisë së Elbasanit për rrjetin e qytetit, por ende nuk ka arkëtuar asnjë lekë, për shkak se nuk është vendosur çmimi. Është pikërisht çmimi që i ndan palët. Kjo sepse kompania kërkon çmimin e kontratës që kanë firmosur, por ERE pretendon që të lëvizë shifrën sipas tregut, dhe jo me çmimin që është vendosur në kontratë. Pikërisht për këtë motiv, palët janë në gjykatë që në 2019 .

Pas hulumtimit të bërë nga Report Tv me gazetarin Arsen Rusta, mësohet se padia është depozituar në vitin 2019 dhe në korrik 2020 Gjykata Administrative ka pranuar ankimin duke kërkuar që ERE të japë një çmim për energjinë e prodhuar nga "Albtek", e cila më pas duhet ta shesë në treg. 

Më datë 31.03.2017 paditësi Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. është pajisur nga ERE me Licencë për prodhimin e Energjisë Elektrike. Paditësi pas instalimit të impiantit dhe fillimit të punës në të, ka filluar të prodhoje energji elektrike dhe ta hedhë atë në treg, duke përmbushur të gjitha detyrimet e tij referuar kontratave të mësipërme.

b.ha./Shqiptarja.com