Rama: Jo polici private më në institucione, krijojmë ndërmarrje shtetërore

4 Mars 2019, 14:01

Kryeministri Edi Rama foli sot nga Akademia e Policisë ku 52 studentë të ekselencës u pranuan si oficerë të Policisë Kriminale. Ai njoftoi se do të nisë një periudhë e butë tranzicioni për oficerët më të moshuar të cilët do vazhdojnë të kenë një pagë dhe do të kontribuojnë në shkëputjen e bashkëpunimit me policitë private për ruajtjen e institucioneve shtetërore. Kryeministri njoftoi krijimin e një kompanie shtetërore ku do të shërbejnë policët afër viteve të pensionit, duke ju shmangur atyre detyrat e vështira në terren. Rama tha se një tjetër standart i ri do të jetë edhe përdorimi i gjuhës angleze në radhët e Policisë së Shtetit.

"Sot për herë të parë hyn në fuqi praktika e hapjes së dyerve të Akademisë së Sigurisë për studentë të Fakulteteve të ndryshme duke sjellë dije të reja. Sot këta 52 studentë që kanë mbaruar universitetin me rezultate të larta, do t'i bashkohen një procesi delikat të ripërtëritjes së policisë kriminale, aty ku nevoja për dije është në rendin e ditës. Ata do të jenë oficerë policie me gradën e nënkomisarit. Është një proces që do ketë një proces rekrutimi në shtator të këtij viti. Një tjetër standart i ri është ai i gjuhës angleze. Ripërtëritja e policisë së shtetit është një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet kur kjo akademi u mbyll për vite e vite të tëra. Nëse ju sot jeni prova e vullnetit për të patur procese ku vlerësohet merita, këtë dëshmi mbajeni me vete dhe kujtohuni që të jeni gjithmonë të drejtë. Policia ishte më e keqpaguar, më e moshuar dhe më e pashkolluar. Pagat do të rriten edhe në vijim. Besoj që me një reformë që ministri i Brendshëm po udhëheq dhe me krijimin e një strukture të re që do të jetë strukturë shërbimi e Policisë së Shtetit në formën e një ndërmarrje që do ofrojë shërbim për ruajtjen e objekteve, do të krijohet mundësia për tranzicion të butë për oficerët më të moshuar dhe për të marrë më shumë të rinj, duke iu krijuar më të moshuarve që të vazhdojnë të kenë një pagë dhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm në pastrimin e një xhungle të policisë private, që shpeshherë janë thithëse të mëdha të nevojave publike dhe shpeshherë nuk e ofrojnë kurrsesi atë shërbim që mund të ofrojë Policia e Shtetit. Një ndërmarrje moderne që do të sigurojë ata që shkojnë në një moshë të caktuar të vazhdojnë të shërbejnë", deklaroi Rama.

    No videos found.