TIRANË- Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është shprehet se ajo që kërkon nga PD-ja nuk është një pazar, por një koalicion që t’i japin fund pushtetit të Ramës. Në takimin me strukturat e qarkut të Tiranës dhe kandidatët e PR-së, Mediu tha opozita duhet t’i mbajë sytë katër përballë Ramës, pasi po tenton të vjedhjet zgjedhjet e 25 prillit.
“Ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona pranë Partisë Demokratike dhe aleatëve të tjerë dhe dua t`a theksoj që ajo që kërkojmë nga Partia Demokratike nuk është pazar, nuk po kërkojmë asgjë për Partinë Republikane, po kërkojmë që bashkë, Parti Republikane – Parti Demokratike dhe koalicioni të bashkojnë shqiptarët për t`u përballur me këtë regjim të korruptuar, dhe në këtë situatë, është e domosdoshme të vlerësohet çdo demokrat, çdo republikan, çdo qytetar, i cili do që të përballet me këtë regjim. Edi Rama deklaroi se po planifikon të vjedhë 75 mandate, për të qeverisur i vetëm përsëri dhe as faktet skandaloze të manipulimit të zgjedhjeve, as varfërimi i shqiptarëve, as shitja e interesave kombëtare, as devijimi i boshtit Euro-Atlantik të shqiptarëve, nuk ka për t`a ndalur Ramën në rrugën e tij të manipulimit, kontrollit të pushtetit, të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Pra nëpërmjet parave të blihet politika dhe nëpërmjet politikës të shtojnë paratë në interes të krimit”, tha Mediu.
Ai ka listuar edhe arsyet se përse duhet luftuar për të larguar qeverinë Rama.
“Së Pari, Edi Rama, është e provuar tashmë, kanabizoi Shqipërinë duke i dhënë pushtet dhe autoritet krimit të organizuar. Së dyti, trafiku i kanabisit krijoi lidhje të forta ndërmjet qeverisë, policisë dhe grupeve kriminale në Shqipëri.
Së treti, këto grupe kriminale krijuan lidhje me mafien ndërkombëtare, veçanërisht në Itali, Hollandë, Britani dhe Spanjë dhe një përfshirje në drogat e forta, sidomos në kontrollin e trafikut të kokainës. Së katërti, mijëra shqiptarë, është fakt tashmë, që ndodhen në vendet e Amerikës Latine, dhe janë bërë ndërmjetës të furnizimit me kokainë, jo vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por për shumë vende të Europës.
