Rama: Këtë javë amnisti fiskale për paratë në të zezë, brenda majit e kalon parlamenti (Kush përjashtohet dhe taksa që do paguhet)

20 Prill 2020, 17:27

TIRANE-Këtë javë Këshilli i Ministrave do të miratojë projektligjin për amnistinë fiskale, ndërsa më pas do të kalojë për diskutime në Kuvend me objektivin për ta kaluar brenda muajit maj. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh sot se kohëzgjatja e amnistisë parashikohet një vit me 3 fasha 4 mujore. Edi Rama njoftoi se në fashën e parë detyrimi për të depozituar paratë do të jetë 5%, në të dytën 7% dhe në të tretën 10%.

Por nga kjo amnisti penale dhe fiskale do të përjashtohen disa kategori duke filluar nga politikanët, gjyqtarët, prokurorët, policët apo zyrtarë në rangje të larta të administratës. Por për kë do të jetë amnistia? Kreu i qeverisë sqaroi se amnistia fiskale do të shërbejë për mijëra qytetarë shqiptarë që kanë punuar për 30 vite në emigracion dhe nuk kanë mundur të depozitojnë kursimet e tyre për t’i formalizuar.